Shqip  | Srpski  | English



Publikimet e Agjencionit Qendror të Prokurimit


Kërko:
    Lajme
PKEK Matrica e perputhshmerise me standardet nderkombtare (LKK)

Hoxha: Prokurimi publik në Kosovë po shkon drejt avancimit

Prokurimi publik në Kosovë mbetet ndër sektorët ku dyshohet se ka më së shumti korrupsion dhe keqpërdorim të parasë publike. Por, udhëheqësi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRrPP), Safet Hoxha, në një intervistë për Radio Kosovën, tha se prokurimi publik i Kosovës po shkon drejt përmirësimit.   
Postuar 17:33 / 22.01.2014

Intervistoi: Drita Loshi

RADIO KOSOVA: Korrupsioni në Kosovë është në nivel shumë të lartë, madje shqetësues, ndërsa fusha që konsiderohet se ka më së shumti korrupsion dhe keqpërdorim të parasë publike, është prokurimi publik. Si është gjendja reale, sipas jush?

SAFET HOXHA: Fatkeqësisht, prokurimi publik qëndron në një sektor jashtëzakonisht të ndjeshëm, pasi është mes administratës publike dhe sektorit privat dhe si i tillë shpesh mund të jetë një zonë ku atakohet nga dukuritë devijuese çfarë është edhe korrupsioni. Mendoj që mohimi i korrupsionit në prokurim publik do të ishte një gabim i madh, sikurse do të ishte gabim akuzimi kaq i madh i këtij sektori për korrupsion. Ideja bosht e asaj, është që prokurimi publik ka bërë avancime të mëdha në kuptimin e luftimit të këtyre dukurive, jo vetëm të korrupsionit, por edhe dukurive tjera devijuese që janë në këtë fushë, qofshin favorizimet, diskriminimet etj. Në aspektin e qëndrueshmërisë së këtij sistemi, mendoj se në Kosovë është duke u zhvilluar një betejë e fuqishme e të gjithë akterëve, edhe atyre që janë të interesuar të vendosin rend dhe ligj, edhe shoqërisë civile, edhe mediave dhe të tjerëve, por normalisht edhe atyre që mendojnë ta devijojnë këtë sistem. Por, konstatim qendror mbetet se ideja e rendit dhe ligjit në prokurimin publik, është ide që po ngadhënjen çdo ditë e më shumë, falë punës së të gjithë akterëve, por edhe ndihmës që po na vjen nga organizatat e jashtme, qoftë përkrahja nga Komisioni Evropian përmes projektit SIGMA, por edhe donatorë tjerë, dhe duke krahasuar situatën tonë në përgjithësi me vendet në rajon, në kuptimin e indikatorëve që matet prokurimi publik, ne jemi më mirë se shumë vende të rajonit.

RADIO KOSOVA: Por në raportet e organizatave ndërkombëtare Kosova rangohet shumë keq sa i përket korrupsionit. A mund të bëni një krahasim sa i përket fushës së prokurimit publik nga viti në vit? 

SAFET HOXHA: Po mundohem të bëj një krahasim nga viti 2010 kur ka dalë raporti më i keq për prokurimin publik në Kosovë. Ka qenë një vit kur procedurat e negociuara kanë qenë në shkallën diku 14 për qind, që janë procedurat që shoqërohen me një dilemë për mundësi korrupsioni. Sot ato procedura janë në nivelin më të ultë të rajonit dhe në nivel të BE-së, janë në shkallën 6 deri në 7 për qind mesatarisht, edhe pse nuk e kemi raportin e këtij viti. Dhe ajo që mund të themi është që edhe raporti i progresit e ka shënuar si të arritur në fushën e prokurimit publik është harmonizimi i legjislacionit vendor me direktivat e BE-së dhe besoj që ky është një sukses që na bën të gjithëve të ndjehemi mirë. 

RADIO KOSOVA: Përshtatja e kritereve për kompani të caktuara është vlerësuar edhe se po dëmton mjedisin konkurrues në Kosovë. Pse lejohet një gjë e tillë?

SAFET HOXHA: E para - ideja e përshtatjes dhe favorizimit përmes kritereve, është ideja bosht e cila e zbërthen problemin e prokurimit publik në Kosovë. Problemi i prokurimit publik kryesisht shtrihet në fazën e parafillimit të aktivitetit të prokurimit publik, hartimi i specifikimeve teknike, hartimi i planifikimit të prokurimit etj., dhe pas fazës së prokurimit në zbatimin e kontratave. Ne nuk kemi ndonjë shifër, por ajo që mund të them është se, duke pasur parasysh mundësinë e tillë, që është një vrimë e zezë në këtë fushë, hartimi i specifikimeve - qofshin ato favorizuese, apo diskriminuese, ne kemi filluar edhe një projekt të ri, me të cilin jemi duke hartuar edhe procesin e bashkëpunimit me projektin PLANET, monitorimin e publikimit të njoftimeve ku janë të përcaktuara kriteret e ndarjes, e shpërblimit për kontratë dhe gjithsesi në ato autoritete ku ne kemi vërejtur ato kritere, nuk i kemi publikuar, kemi kërkuar nga autoritetet që t’i ndryshojnë. Por edhe aty ku kemi pasur të adresuar ankesë të ndonjë kompanie të caktuar për kriteret, ne kemi ndërhyrë në publikim. Gjithashtu, ligji parasheh edhe një mekanizëm për operatorët ekonomikë, mekanizmin e ankesës në kritere, pra ata kanë instrumentin e ankesës, i cili në Organin Shqyrtues të Prokurimit mund ta ngrejë shqetësimin e tij për kriteret që janë favorizuese apo diskriminuese etj.

RADIO KOSOVA: Sa raste të tilla i keni vërejtur dhe në të cilat keni ndërhyrë z. Hoxha?

SAFET HOXHA: Ndërhyrje në kuptimin e kritereve ka më shumë se 100 sosh gjatë një viti, flas për vitin 2013.

RADIO KOSOVA: Përveç ndërhyrjes në kritere, a keni ndonjë masë tjetër që mund ta merrni ndaj këtyre autoriteteve?

SAFET HOXHA: Jo, absolutisht. Departamenti i prokurimit në KRrPP ka dy divizione: divizionin e monitorimit të prokurimit publik, që merret me monitorimin e zhvillimit të procesit, respektimin e procedurave të përzgjedhjes etj., dhe ka departamentin e monitorimit të menaxhimit të kontratës nga ana e autoriteteve kontraktuese. Vitin që lamë pas kemi filluar me një projekt pilot të monitorimit të publikimeve të kontratës dhe kemi parë që edhe kjo fushë ka jashtëzakonisht defekte. Dhe besoj që edhe këtë vit fokusi ynë do të rritet në fushën e monitorimit të publikimeve, në mënyrë që publikimet e prokurimeve të mos përmbajnë kritere të cilat e diskriminojnë operatorin ekonomik të caktuar apo e favorizojnë një tjetër. 

RADIO KOSOVA: Si rezultat i specifikimit të këtyre kritereve, sa kontrata i fitojnë kompanitë e huaja brenda vitit?

SAFET HOXHA: Nuk besoj që marrja e punëve nga kompanitë e huaja lidhet me kriteret, por për shkak se ne jemi një treg i vogël, dhe ka shumë aktivitete të prokurimit publik për të cilat tregu vendor nuk ofron operatorë ekonomikë për të kryer shërbime të tilla, qofshin të largpërçuesve, qofshin probleme që lidhen me turbinat, gjeneratorët e KEK-ut, që realisht nuk kanë kapacitete teknike dhe profesionale kompanitë vendore për t''''i kryer punët e tilla. Përndryshe, pjesëmarrja e kompanive të huaja në tregun vendor si indikator, më së miri flet për një qasje tejet konkurruese të tregut dhe prokurimit publik. Me vet faktin që iu ka mundësuar të marrin pjesë kompanive të huaja në tregun tonë, jep të kuptohet që kriteret nuk janë shumë diskriminuese dhe favorizuese, se në fund të fundit edhe operatorët ekonomikë, në të shumtën e rasteve, nuk bëjnë asnjë ankesë derisa ta humbin garën, kur e humbin garën thonë se kriteret i paska pasur diskriminuese ose favorizuese, nuk i bëjnë në fazat e mëhershme, por i lënë në fund - kur e humbin garën atëherë e ngrenë këtë shqetësim.

RADIO KOSOVA: Por, saktësisht, sa tenderë i fitojnë kompanitë e huaja brenda një viti në Kosovë?

SAFET HOXHA: Numerikisht nuk e di, sepse ende nuk e kemi raportin përfundimtar të vitit të kaluar, por nuk varet shumë nga numri i tenderëve, varet nga vlera, nga pjesëmarrja që e kanë tenderët në jetën ekonomike në tregun publik. Diku rreth 17 për qind kanë qenë aq sa di unë vitin e kaluar, që praktikisht ka qenë mbi mesataren e shteteve të rajonit, që iu japin qasje kompanive të huaja. 

RADIO KOSOVA: Sa po arrini të mbikëqyrni zbatimin e kontratave?

SAFET HOXHA: Ne e kemi mbikëqyrjen e autoriteteve kontraktuese, komunave, ministrive se a janë duke u kujdesur departamentet e tyre të prokurimit për menaxhimin e kontratës. Kompetencë e jona është që ta jetësojmë një praktikë të menaxhimit të kontratës nga zyra e prokurimit publik, pasi edhe në të kaluarën është vërejtur që departamenti i mbikëqyrjes, nuk i ka dhënë llogari departamentit të prokurimit dhe ka rezultuar që kontratat e përzgjedhura në mënyrë shumë ligjore dhe të suksesshme kanë rezultuar me projekte shumë të dëmshme dhe shumë të dobëta, si rrugë, shkolla, projekte të caktuar. Kështu që - ne kemi dashur ta integrojmë sistemin e mbikëqyrjes me atë të prokurimit dhe departamenti ynë, para së gjithash, ka në fokus se a po funksionon zinxhiri i komunikimit në kuadër të autoritetit kontraktues. 

RADIO KOSOVA: Sa para qarkullojnë brenda vitit përmes prokurimit publik? Është përmendur një shifër prej 600 milionë eurosh...

SAFET HOXHA: Ajo është relative, e ndryshueshme, por rreth 600 milionë, mesatarisht, shpenzohen përmes procedurave të prokurimit publik, që nënkupton prej 17 deri në 19 për qind të bruto produktit vendor shpenzohet përmes këtyre procedurave. 

RADIO KOSOVA: Mungesa e Organit Shqyrtues të Prokurimit që nga gushti i vitit të kaluar, a ka ndikuar negativisht në këtë fushë?

SAFET HOXHA: E para - është për të ardhur keq që ky bord nuk është kompletuar. Mendoj që është çështje e nivelit të vendimmarrjes politike. E dyta - mendoj që sistemin e prokurimit nuk e ka dëmtuar shumë sa e ka dëmtuar implementimin e projekteve edhe operatorët ekonomikë, për shkak se shumë projekte kanë rënë pre, nuk kanë arritur të zbatohen për shkak të procesit të ankesave në këtë institucion. E shfrytëzoj rastin që t’ju bëj thirrje organeve që janë të autorizuara për ta krijuar këtë bord, që në kohën sa më të shpejtë të mundur, ta kompletojnë atë, në mënyrë që tregu publik të mos ketë çrregullime të natyrave administrative dhe burokratike.

RADIO KOSOVA: Ndryshimi i Ligjit të Prokurimit Publik, çfarë ndikimesh do të ketë?

SAFET HOXHA: Janë bërë dy-tri amendamente që i referohen kompanive vendore dhe shërbimeve vendore, joprodukteve. Ndryshimi ka kaluar në Qeveri, ka kaluar në Parlament në lexim të parë, është kthyer në komision, dhe nuk kemi informacione se çfarë ka ndodhur më tutje. Nuk do të ketë ndryshime të mëdha.

RADIO KOSOVA: Çfarë mund të bëni për të përmirësuar imazhin e prokurimit publik në Kosovë?

SAFET HOXHA: Para se ta rregullojmë imazhin - duhet ta rregullojmë fushën, bashkë me të imazhin, dhe në këtë drejtim besoj se kjo fushë nuk mund të rregullohet me veprime të njëanshme, qoftë të autoriteteve kontraktuese, qoftë KRrPP-së dhe institucioneve qendrore, por kjo është një betejë e cila do të jetë bukur e gjatë, sepse edhe vendet e konsoliduara me shtet ligjor kanë këso probleme. Kjo është një betejë e cila kërkon edhe aleanca shumë më të gjera me shoqërinë civile, OJQ-të, mediat, intelektualët, por gjithsesi - faktor kyç për një prokurim të mirë dhe një prokurim pa korrupsion - do të jetë edhe vetëdijesimi i operatorëve ekonomikë, trajnimi i tyre, në mënyrë që ata të luftojnë që të drejtat e tyre t''''i realizojnë përmes ligjeve, e jo përmes rrugëve alternative e të dyshimta. 

RADIO KOSOVA: Çfarë objektivash keni paraparë për këtë vit?

SAFET HOXHA: Ne kemi një varg objektivash, në secilën fushë kemi objektivat e caktuara. Në kuptimin e trajnimeve jemi të interesuar të nxjerrim një strategji të trajnimeve për prokurim publik, që i referohet edhe trajnimit të zyrtarëve, edhe të operatorëve, gjyqtarëve, prokurorëve, hetuesve etj. Në aspektin e prokurimit jemi të interesuar të kemi një strategji pesëvjeçare kombëtare, se si do të rrugëtojë prokurimi publik. Një aspekt tjetër, jemi të interesuar të bëjmë edhe monitorimin e performancës në fushën e prokurimit publik, për ta krijuar një indeks të çmimeve për prokurim publik, dhe një rritje të fokusit të monitorimit të aktiviteteve të prokurimit publik, në mënyrë që kësaj dileme që ngrihet për prokurimin publik, t’i japim një përgjigje të saktë dhe logjike të zhvillimeve që vërtetë janë duke ndodhur në fushën e prokurimit publik.

RADIO KOSOVA: A mendoni që strategjinë ta hartoni gjatë këtij viti?

SAFET HOXHA: Besoj se po, dhe e-prokurimin, gjithsesi. 

RADIO KOSOVA: Çfarë synoni me e-prokurimin?

SAFET HOXHA: E para - rritë transparencën, dhe e dyta - e ulë dilemën për mundësinë e korrupsionit në Kosovë. Nuk nënkupton që e-prokurimi do t''''i zgjidhë tërë problemet në prokurimin publik, por shkalla e transparencës dhe uljes së korrupsionit, do të jenë bukur të menaxhueshme. Dilemat nuk do ta shoqërojnë prokurimin publik, sepse sistemi i konkurrencës në prokurimin publik do të jetë sistem elektronik dhe kjo do t’i bëjë operatorët të ndjehen të barabartë në të gjitha fushat, do t’i ulë shpenzimet operacionale që do të ndodhin për një aktivitet të prokurimit publik, do të rezultojë me ulje të kostos financiare për pjesëmarrje në aktivitet të prokurimit publik dhe do të sjellë një varg të mirash, që, realisht, presim të ndodhin në prokurimin publik.


PECK Raporti i Vleresimit Kunder Korrupsionit – Cikli i pare : 


20.12.2013

Konferencë me gazetarë për luftën kundër korrupcionit në prokurimin publik

Prokurimi Publik në Kosovë vazhdon të mbetet adresa me e përfolur për keqpërdorime të parasë publike. Fusha me e ndjeshme përmes të cilës paraja e taksapaguesve kalon në xhirollogaritë sektorin privat përmes tenderëve po synohet të bëhet një fushë ku nuk përflitet me si çerdhja e korrupsionit.

Drejtues të këtij mekanizmi të kontrollit të prokurimit publik e pranojnë faktin së tashme për qytetarët kjo adresë njihet si një zonë e zhytur në korrupsion, por me mbështetjen edhe nga projektet e BE-së, po synojnë që kjo gjendje të ndryshohet.

Kryetari i KRPP-së, Safet Hoxha ka pohuar së, fatkeqësisht, jemi të gjithë të vetëdijshëm për konotacionet negative që lidhen me prokurimin publik, ku prokurimi shihet si një zonë tejet korruptive e administratës publike. Prandaj, sipas tij perceptimi i publikut të gjerë në lidhje me prokurimin është tejet negativ, por mohimi i ekzistencës së tij është edhe më i rrezikshëm.

“Prokurimi Publik është një vend bashkëpunimi mes sektorit publik dhe atij privat, dhe pavarësisht disa mosmarrëveshjeve, prokurimi publik në Kosovë është duke u zhvilluar në një sistem kualitativ dhe transparent, duke patur parasysh posaçërisht situatën e para 15 viteve në Kosovë. Sistemi i prokurimit publik në Kosovë duhet të insistoi të jetë një pikë sinergjie për interesat e sektorit publik dhe privat, në mënyrë që të ngris përgjegjësinë në shpenzimin e taksave të qytetarëve nga përfaqësuesit e sektorit publik, si dhe të ngris llogaridhënien dhe transparencën në këtë sistem”, ka pohuar Hoxha.

Fatkeqësisht, siç tha ai jemi të gjithë të vetëdijshëm për konotacionet negative që lidhen me prokurimin publik, ku prokurimi shihet si një zonë tejet korruptive e administratës publike. “KRPP nuk e mohon këtë problem, nga ana tjetër, ne jemi duke u përpjekur të jemi proaktiv për të përmirësuar sistemin e prokurimit publik dhe luftimin e dukurive devijante në këtë sistem”, tha ai.

Hoxha po ashtu ka potencuar së Kosova është në një situatë në të cilën shoqëria civile nuk ka besim në sektorin publik në përgjithësi, kur është fjala për prokurimin publik, dhe kjo nuk është diçka e re.

Për KRPP-në, shoqëria civile dhe mediat, siç tha ai mbeten partner strategjik në arritjen e synimit të përbashkët e që është rregullimi i fushës së prokurimit publik në Kosovë.

“Prandaj, ne jemi të interesuar që këtë bashkëpunim ta avansojme edhe më tej, në mënyrë që ngjarjet mos të lëvizin në drejtim të gabuar. Ekziston nevoja për një sistem të hapur dhe të besueshëm të komunikimit, i përdorur në mënyrë efektive për të përmirësuar produktivitetin e biznesit, me objektivin për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale në shoqëri, si dhe ngritjen e kapaciteteve të administratës publike përmes procesit të komunikimit mes sektorëve. Dhe kjo nuk ka të bëjë asgjë me propaganda, por ka të bëjë vetëm me ribalancimin e informacioneve duke bërë të njohur edhe atë që është pozitive, si dhe për tu njoftuar edhe kur janë bërë gabimet me synimin për të evituar përsëritjen e tyre në të ardhmen. Prandaj funksionalizimi i këtyre kanaleve të komunikimit do të trajtoj problemin prezent e që është mosbesimi mes akterëve të prokurimit publik”, tha kryetari i KRPP-së, Safet HoxhaHoxha.

Ai me pas ka folur për të arriturat e KRPP, duke thënë së ky vit ishte mjaft i suksesshëm për këtë institucion. Ai ka numëruar disa suksese që sipas tij janë arritur gjatë këtij viti.

Edhe përfaqësuesit e BE-së në Kosovë u shprehën të kënaqur me bashkëpunimin dhe punën e institucioneve vendore dhe projektit;
“Përmirësimi i kapaciteteve administrative në fushën e Prokurimit Publik në Kosovë” i financuar nga BE-ja, i cili po implementohet nga PLANET-i.

Erzsébet GÁL, udhëheqësja e ekipit te projektit nga PLANET-i, tha se objektivi i përgjithshëm i projektit është të sigurojë administrimin e duhur të fondeve publike, transparencës dhe efektivitetit të shpenzimeve publike përmes përmirësimit të sistemit të menaxhimit të financave publike dhe krijimin e një kuadri efektiv të qeverisjes publike në Kosovë dhe ndërtimin e besimit me rritjen e llogaridhënies publike.

“Qëllimi i projektit është forcimi i sistemit të prokurimit publik në Kosovë, duke siguruar që procedurat e prokurimit publik janë kryer në mënyrë transparente dhe në përputhje me standardet e BE-së”, tha ajo. Ajo me pas ka shpalosur pikat në të cilat janë duke mbështetur organet e prokurimit publik në Kosovë.

Komponenti 1
Mbështetje në politikë-bërjen e prokurimit. Përgatitjen e politikave dhe udhëzimeve për zyrtarët e prokurimit publik dhe ofrimin e ndihmës në zbatimin e avancimit menaxherial dhe organizative të KRPP-së, OSHP-së dhe AQP-së.

Aktivitetet:
- Pregatitja e strategjisë kombëtare të prokurimit publik
- Propozimet për ndryshime rregullative për të eliminuar keqpërdorimin e fondeve publike dhe për të mbushur boshllëqet në sistem
- Harton udhëzime, udhëzime administrative për të mbështetur punën e përditshme në fushën e prokurimit publik
- Forcimi i funksioneve të kontrollit dhe monitorimit të KRPP-së

Komponenti 2
Zbatimin e programit mësimor për trajnim në prokurimet publike dhe certifikimit.
Aktivitetet:
- Pregatitja e strategjisë kombëtare të trajnimit të prokurimit publik
- Sistemi i ri i trajnimit për Zyrtarët e PP, duke marrë parasysh nevojat dhe boshllëqet, çështjet praktike me shembuj dhe raste studimore
- Modulet e avancuara të trajnimit për zyrtarët e PP
- Trajnimet për auditor, gjykatës, zyrtar policor, prokuror, operatorë ekonomik dhe gjithashtu edhe për media

Komponenti 3
Ndihmë në zbatimin e legjislacionit primar dhe sekondar në nivel qendror dhe komunal, trajnimet dhe mentorimi në monitorimin e kontratave, dhe këshillimi rreth shfrytëzimit të rregullt të kontratave kornizë.

Aktivitetet:
- Mbështetje në paraqitjen e prokurimit qendror
- Fillimi i procedurave e përbashkëta të prokurimit në pesë grupe të komunave
- Vizita studimore në një nga vendet anëtare të BE-së për të pare praktikat e mira, duke u fokusuar në prokurimin qendror
- Përmirësimi i aktiviteteve të monitorimit të kontratës

Komponenti 4
Informacion dhe fushatë ndërgjegjësimi përfshirë sektorin publik dhe atë privat duke përfshirë gjithashtu operatorët ekonomik, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat.

Aktivitetet:
- Anketë në mesin e operatorëve ekonomik dhe autoritete kontraktuese lidhur me vështirësitë dhe mendimin e përgjithshëm mbi PP
- Fushata e komunikimit në mënyrë që të kuptohet funksionimi, procedurat dhe institucionet relevante të PP si tërësi
- Rritja e transparences përmes informimit korrekt dhe objektiv
 


12.01.2012

 

Konferencë Përmbyllëse- Përkrahje në Reformën e Prokurimin Publik në Kosovë, Arritjet dhe Perspektivat

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik së bashku me Projektin e financuar nga BE-ja, “Përkrahje në Reformën e Prokurimit Publik në Kosovë” organizuan një konferencë përmbyllëse të projektit, gjatë së cilës u prezantuan rezultatet e bashkëpunimit trevjeçarë dhe perspektivat e Prokurimit Publik në Kosovë për të ardhmen.

Gjate 36 muajve bashkëpunimi mes Projektit të financuar nga BE-ja dhe përfituesve, kryesisht KRPP-ja, OSHP-ja, AQP-ja dhe IKAP, zhvillime të rëndësishme janë arritur, duke rezultuar në një përmirësim esencial të sistemit të Prokurimit Publik në Kosovë.

Disa nga arritjet më të rëndësishme të cilat u përmenden, mes tjerash janë: 
   - Ligji i ri i Prokurimit Publik, në fuqi nga 5 tetori 2011.
   - Legjislacioni sekondar, në fuqi nga 1 janari  2012.
   - Strukturat e reja organizative, si dhe të punës për KRPP, OSHP dhe AQP
   - Programet e trajnimit, të cilat do të kenë ndikim të më shumë se 520 menaxher të prokurimit.

Prezantuesit kryesorë ishin:
 Ministri i financave Z. Bedri Hamza, udhëheqësi i Operacioneve të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian Z. Christof Stock, drejtoresha e Projektit dhe përfaqësuese e Konzorciumit Dr. Roula Triantafillidou, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Z. Safet Hoxha, kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) Z. Hysni Hoxha, drejtori i Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP) Z. Mursel Rracaj, drejtori i Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP), Z. Hysni Veseli dhe udhëheqësi i ekipit të Projektit Z. Anders Guldager Christiansen.

Përkrahje Reformës për Prokurim Publik në Kosovë është projekt i financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga Zyra ndërlidhëse e Bashkimit Evropian me Komisioni Rregullativ të Prokurimit Publik, Organi Shqyrtues të Prokurimit Publik, Agjencia Qendrore e Prokurimit, dhe Ministria e Financave si Institucionet kryesore të Qeverisë që kanë përfituar. Projekti është implementuar nga PLANET S.A në konzorcium me BIT, Crown Agents dhe International Procurement Agency.


06.12.2011

Në Prishtinë përfundoj Konferenca mbi Prokurimin Publik

Prokurimi Publik: Përparësitë e Legjislacionit të Ri. Përmirësimi i Procesit të Prokurimit Publik në Kosovë

Një strukturë e re legjislative ka arritur me pajisjen me Ligj të ri të Prokurimit Publik në fuqi nga 5 Tetor 2011. Konferenca e organizuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik së bashku me Projektin e financuar nga BE-ja, ka identifikuar esencën e ligjit të ri në fuqi i cili është i përshtatur me direktivat e BE-së. Planet aktuale të autoriteteve lokale janë shpallur, si dhe një diskutim i bashkëpunimit Shtetëror dhe Evropian i nevojitur për forcimin e prokurimit publik në vend.

Prezantuesit kryesorë ishin: Zëvendës Ministri i Dr Hajredin Kuci, Udhëheqësi në detyrë i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian Z. Khaldoun Sinno, Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Z. Safet Hoxha, përfaqësuesi i OECD/ SIGMA Z. Olivier Moreau, dhe Udhëheqësi i Ekipit të Projektit Z. Anders Guldager Christiansen.

Katër çështjet kryesorë të Ligjit të Prokurimit Publik përfshijnë:

-Prezantimi i nënshkrimeve të obligueshme të Ministrave dhe zyrtarëve ekzekutiv në lidhje me kontratat me vlerë të lartë.
-Menaxhimi i kontratave është bërë i obligueshëm për autoritetet kontraktuese.
-Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka fituar më shumë kompetencë duke përfshirë autoritetin për të hetuar rastet.
-Agjencia e Prokurimit Publik është shkrirë dhe ndryshuar në Agjencinë Qendrore të Prokurimit si agjenci nën Ministrinë e Financave.

Përkrahje Reformës për Prokurim Publik në Kosovë është projekt i financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga Zyra ndërlidhëse e Bashkimit Evropian me Komisioni Rregullativ të Prokurimit Publik, Organi Shqyrtues të Prokurimit Publik, Agjencia Qendrore e Prokurimit, dhe Ministria e Financave si Institucionet kryesore të Qeverisë që kanë përfituar. Projekti është implementuar nga PLANET S.A në konzorcium me BIT, Crown Agents dhe International Procurement Agency.

Për më shumë informata kontaktoni Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik në : T: +381 (0)38 21 37 09, info.krpp@ks-gov.net (09.00-12.00 & 13.00-15.00)


23.12.2010

Delegacioni Shtetror i Prokurimit Publik te Malit te Zi viziton KRPP-ne

Me ftesë të Bordit të KRPP-së, delegacioni i Komisionit Shtetëror të Prokurimit Publik të Malit të Zi po qëndron për vizitë dyditore në Kosovë më 23 dhe 24 Dhjetor 2010. Delegacioni i udhëhequr nga Kryetari i Komisionit Shtetëror të Prokurimit Publik të Malit të Zi, Z.Marko Llazarevic, dhe e shoqëruar nga Znj. Katarina Radovic, Sekretare Shtetërore e Komisionit mbajtën një takim pune me Bordin e Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik të Kosovës, të udhëhequr nga Kryetari i Bordit Z. Safet Hozha. Ishte ky një vazhdimësi e takimit të mbajtur gjatë muajit Tetor 2010 në Podgoricë, në të cilin u diskutuan shumë çështje të ndërsjellta nga fusha e prokurimit publik në të dy shtetet. Gjatë takimit një vemendje e veçantë ju kushtua ligjit të ri për prokurim publik në Kosovë, i cili ka hyrë në fuqi nga data 01.12.2010


20.07.2010

Konstituohet Bordi i Ri i KRPP-së

Bordi i KRPP-së në mbledhjen e mbajtur më 15.07.2010, mori vendim mbi konstituimin e Bordit të Ri të KRPP-së në perputhje me Vendimin e Kuvendit të Kosovës Nr. 03-V-358, të datës 08.07.2010, në këte përberje :

Safet Hoxha - Kryetar

Ilaz Duli – Anëtar
Silvana Nikollcevic - Anëtare