Përkufizimet sipas Ligjit nr.02/L-99, Ligji për Prokurimin Publik në Kosovë, të shpallur me Rregulloren Nr.2007/20
“Zyrtar Autorizues” është personi i autorizuar nga Zyrtari Kryesor Admnistrativ i autoritetit kontraktues sipas Nenit 20.1 të këtij ligji, si përgjegjës për inicimin e një aktiviteti të prokurimit.
“Agjenci Autonome Ekzekutive” do të thotë një autoritet publik që (i) nuk është vetë organizatë buxhetore por është pjesë e një organizate buxhetore, dhe (ii) shprehimisht këkohet nga një akt primar normativ që të veprojë në mënyrë autonome ose me autonomi substanciale nga organizata buxhetore pjesë e së cilës është.
“Organ i themeluar në bazë të së drejtës publike” nënkupton personin, ndërmarrjen ose organin që (i) është themeluar me qëllim të veçantë për plotësimin e nevojave të përgjithëshme që nuk kanë karakter prodhues ose komercial, dhe (ii) i plotëson këto kritere: (a) merr 50% ose më shumë nga financimi i tij prej fondeve publike dhe/ose një ose më shumë autoriteteve publike dhe/ose organeve të themeluara në bazë të të drejtës publike, (b) i nënshtrohet mbikëqyrjes menaxhuese nga një ose më shumë autoritete publike dhe/ose organe të themeluara në bazë të së drejtës publike, ose (c) ka një bord administrativ, mbikëqyres ose menaxhues, 50% ose më shumë e votave të të cilit mund të ushtrohen nga anëtarët e emëruar nga një ose më shumë autoritete publike dhe/ose organeve të themeluara në bazë të së drejtës publike.
“Kandidat” nënkupton një operator ekonomik që ka kërkuar të ftohet ose është ftuar të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit që është duke u ushtruar me procedurë të kufizuar ose të negociuar ose procedurë të kuotimit të çmimeve.
“Zyrtari Kryesor Administrativ” ose “ZKA” në rastin e organizatave buxhetore, do të thotë (i) Sekretarin Permanent, (ii) nëse organizata nuk ka sekretar permanent, atëherë Kryeshefin Ekzekutiv, ose (iii) nëse organizata nuk ka as Sekretar Permanent dhe as Kryeshef Ekzekutiv, atëherë personin e autorizuar për administrimin e përditshëm të organizatës dhe personelit. Në rastin e agjencive autonome ekzekutive, ZKA është drejtori ose udhëheqësi i asaj agjencie dhe jo ZKA i organizatën buxhetore pjesë e së cilës është agjencia. Në rastin e ndërmarrjeve publike, ky term nënkupton Kryeshefin Ekzekutiv, drejtorin menaxhues ose personin e autorizuar për administrimin e përditshëm të veprimtarisë dhe personelit.
“ZKF” ose “Zyrtari Kryesor Financiar” ka kuptimin e përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.
“Mallra” do të thotë të gjitha produktet, përfshirë energjinë elektrike, të cilat janë të zëvendësueshme dhe çmimet e të cilave janë të kuotuara në një treg ekzistues të mallrave ose në një platformë ose sistem të ngjashëm tregtar.
“Specifikim i përbashkët teknik” nënkupton specifikimin teknik të përpiluar në përputhje me procedurën e pranuar nga shtetet anëtare të UE-së, me qëllim të zbatimit të njëjtë të saj nga të gjitha shtetet anëtare dhe të publikuar në Gazetën Zyrtare të Komunitetit Evropian.
“Artikuj të përdorimit të përbashkët” nënkupton prodhimet ose shërbimet e kërkuara nga një ose më shumë autoritete kontraktuese, për të cilat mund të arrihet përdorimi më efikas dhe me kosto ekonomike i fondeve publike me anë të zhvillimit të prokurimit qendror, të përbashkët ose të konsoliduar.
“Parashtrues i ankesës” nënkupton palën e interesuar që parashtron ankesë në pajtim me dispozitat e nenit 106 të këtij ligji.
“Informacionet sekrete afariste” nënkupton informacionet e përcaktuara si të tilla në Nenin 10.2 të këtij ligji.
“Autoriteti kontraktues” nënkupton autoritetin publik, operatorin e shërbimeve publike, ndërmarrjen publike dhe/ose personin, komisionin ose ndërmarrjen që ushtron aktivitete të prokurimit në emër të/ose për llogari të autoritetit publik ose operatorit të shërbimeve publike ose një ndërmarrje publike.
“Data e publikimit” do të thotë (i) në lidhje me njoftimet paraprake ose njoftimet e kontratës, datën në të cilën njoftimi i tillë për herë të parë publikohet sipas Nenit 40.3,
dhe (ii) në lidhje me njoftimet për dhënjen e kontratës, datën në të cilën ky i fudnit u është dërguar operatorëve ekonomik sipas Nenit 40.4.
“Konkurs projektimi” nënkupton një procedurë prokurimi që ka për qëllim t’i mundësoj autoritetit kontraktues të fitoj një plan ose një projekt të zgjedhur nga një juri, pasi që është vënë në konkurim me ose pa shpërblim, veçanërisht në sferat e planifikimit hapsinor, planifikimit urbanistik, arkitekturës, ingjinieringut përpunimit të të dhënave, dhe projektet e veprave të artit.
“Ndikimi mbizotërues” nënkupton, (por nuk është i kufizuar) një situatë kur autoriteti kontraktues ose një ndërmarrje, drejtpërdrejt ose tërthorazi, mban shumicën e kapitalit të një ndërmarrje, kontrollon shumicën e votave nga aksionet e emetuara të ndërmarrjes, ose mund të emëroj më shumë se gjysmën e anëtarëve të organit administrativ, menaxhues ose mbikëqyrës të ndërmarrjes së tillë.
Lart
“Operator ekonomik” është term i përgjithshëm që përfshinë furnizuesin, ofruesin e shërbimeve dhe/ose kontraktuesin e punëve.
“Mjetet elektronike” nënkupton përdorimin e pajisjeve elektronike për përpunimin (duke përfshirë kompresimin shifror) dhe ruajtjen e të dhënave të transmetuara, të bartura ose të pranuara me telegraf, me radio, me mjete pamore, ose me mjete tjera elektromagnetike.
“Specifikim evropian” nënkupton spcifikacionin e përbashkët teknik, miratimin teknik evropian ose standardin kombëtar/vendor që zbaton një standard evropian.
“Standard evropian” nënkupton standardin e miratuar nga (i) Komiteti Evropian për Standardizime (European Committee for Standardization, CEN) ose nga Komiteti Evropian për Standardizimin Elektroteknik (European Committee for Electrotechnical Standardization CENELEC) si “Standard Evropian” ( European Standard, EN) ose
“Dokumenti Harmonizimi” ( Harmonization Document, HD), në përputhje me rregullat e përbashkëta të këtyre organizatave, ose (ii) nga Instituti Evropian i Standardeve të Telekomunikacionit (European Telecommunication Standards Institute, ETSI) në pajtim me rregullat e tyre si Standarde Evropiane të Telekomunikacionit ( European Telecommunications Standard, ETS).
“Miratimi Teknik Evropian” nënkupton vlerësimin e favorshëm teknik të dhënë nga organi miratues i një shteti anëtar i UE-së mbi përshtatshmërinë e përdorimit të prodhimit për qëllime të veçanta, mbështetur në përmbushjen e kërkesave themelore për punët ndërtimore, me anë të karakteristikave qenësore të prodhimit dhe kushtet e përcaktuara të kërkesës dhe përdorimit, siç parashihet në Direktivën e Këshillit 89/106/BEE të 21 dhjetorit 1988 mbi harmonizimin e ligjeve, rregulloreve dhe dispozitave administrative të shteteve anëtare lidhur me prodhimet ndërtimore.
“Rregullat Financiare” do të thotë Rregullat Financiare të nxjerra nga Thesari.
“Qeveria” nënkupton qeverinë e themeluar sipas nenit 1.5 (c) dhe 9.3 dhe më tutje të Rregullores së UNMIK-ut Nr. 2001/9 “Mbi Kornizën Kushtetuese të Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë” dhe çdo Qeveri të ligjshme pasardhëse ose autoritet qendror ekzekutiv.
“Kontratë e pronës së paluajtshme” është një kontratë me shpërblim në të holla e lidhur ndërmjet një autoriteti kontraktues dhe një personi, ndërmarrje, ose autoriteti kontraktues që lidhet kryesisht ose ekskluzivisht me fitimin e pronës së paluajtëshme, një interesi ose të drejtë mbi ose në pronën e paluajtëshme nga autoriteti kontraktues.
“Palë e interesuar ” nënkupton personin ose ndërmarrjen që ka ose kishte interes material
nga aktivitetet ose procedurat e prokurimit të zbatuara nga autoriteti kontraktues në raport me një kontratë të veçantë publike ose konkurs projektimi.
“IKAP” është Instituti i Kosovës për Administratë Publike.
“Kontratë me vlerë të madhe” nënkupton kontratën publike që trajtohet në nenin 18.1 të
këtij ligji.
“Konkurs projektimi me vlerë të madhe” nënkupton konkursin për projektim që trajtohet
në nenin 19.1 të këtij ligji.
“Kontratë me vlerë të vogël” nënkupton kontratën publike që trajtohet në nenin 18.3 të
këtij ligji.
“Konkurs projektimi me vlerë të vogël” nënkupton konkursin e projektimit që trajtohet në
nenin 19.3 të këtij ligji.
“Kontratë me vlerë mesatare” nënkupton kontratën publike që trajtohet në nenin 18.2 të
këtij ligji.
“Konkurs projektimi me vlerë mesatare” nënkupton konkursin e projektimit që trajtohet
në nenin 19.2 të këtij ligji.
“Kontratë me vlerë minimale” do të thotë një kontratë publike që trajtohet në Nenin 18.4.
“Procedurat e negociuara” nënkupton procedurat e prokurimit që i lejojnë autoritetit
kontraktues të ftojë dhe të këshillohet me operatorët ekonomik të zgjedhur nga ai për t’i
negociuar kushtet e kontratës me njërin ose më shumë prej tyre.
“Procedurë e hapur” nënkupton procedurat e prokurimit që i lejojnë çdo operatori të
interesuar ekonomik të paraqet tender.
“Person” do të thotë person fizik.
“Rregullat e KBFP” do të thotë Rregullat e Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike që nxirren nga Thesari.
“APP” do të thotë Agjencioni i Prokurimit Publik i themeluar sipas Pjesës VI të këtij
ligji.
“KRPP” nënkupton Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik të themeluar sipas
Pjesës V të këtij ligji.
“OSHP” nënkupton Organin Shqyrtues të Prokurimit të themeluar sipas Pjesës VII të
këtij ligji.
Lart
“Ky ligj” nënkupton këtë ligj dhe aktet normative nën-ligjore dhe instrumentet e nxjerra
në bazë të autorizimit të këtij ligji, duke përfshirë edhe rregullat e prokurimit publik dhe
kodin etik që janë lëshuar sipas autorizimit të këtij ligji.
“Aktivitet i prokurimit” do të thotë çdo aktivitet që ndërlidhet me fillimin ose
ekzekutimin e një procedure ose një aktiviteti tjetër që shpie ose që ka për qëllim të shpie
drejt dhënjes së një kontrate publike.
“Autoritet publik” ka secilin nga kuptimet vijuese: (i) autoritetin ekzekutiv qendror,
rajonal, komunal ose lokal, organin publik, ministrinë, departamentin, agjencinë, ose
autoritetin tjetër që ekzekuton, konform me çdo akt normativ ose nën-normativ, pushtetin
ekzekutiv, legjislativ, rregullativ, administrativ-publik ose gjyqësor; (ii) organin e
themeluar në bazë të së drejtës publike; dhe (iii) një asociim të një ose më shumë
autoriteteve dhe/ose organeve të tilla.
“Kontratë publike” është term i përgjithshëm që përfshin ndonjërën dhe të gjitha llojet e
veçanta të kontratave vijuese të lidhura nga një autoritet kontraktues: (i) një kontratë
shërbimi, (ii) një kontratë e furnizimi, (iii) një kontratë pune, duke përfshirë kontratën
koncesionere të punës, (iv) kontratën publike kornizë, dhe/ose (v) kontratën e pronës së
paluajtshme.
“Kontratë publike kornizë” do të thotë një marrëveshje për një periudhë të kufizuar
kohore ndërmjet autoritetit kontraktues dhe një operatori ekonomik, qëllimi i të cilës
është të themelojë kornizën për kontratat që duhet të jepen gjatë kësaj periudhe, sidomos
në lidhje me objektin e kontratave dhe, ku kjo është e përshtatshme, me shumat, me
gjerësinë dhe sasinë e paraparë, si dhe me çmimin.
“Fond publik” nënkupton (i) para ose mjete financiare që administrohen ose kontrollohen
nga autoriteti publik, duke përfshirë të hollat që mbahen nga autoriteti publik në dobi të
një personi, organit, organizate ose ndërmarrje përveç autoritetit publik; (ii) para ose
mjete financiare që administrohen ose kontrollohen nga ndonjë person, organ, organizatë
ose ndërmarrje që kryen këtë administrim ose që ekzekuton këtë kontroll për ose në emër
të autoritetit publik dhe (iii) të gjitha paratë ose mjetet financiare të dhëna ose të
përvetësuara, drejpërdrejt ose tërthorazi autoritetit kontraktues ose ndërmarrjes nën
Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës ose nën Fondin e Konsoliduar të Kosovës.
“Regjistri i Prokurimit Publik” nënkupton regjistrin e themeluar nga KRPP-ja sipas Nenit 82 të këtij ligji.
“Rregullat e prokurimit publik” do të thotë udhëzimet, rregullat, dokumentet, kodi etik dhe formularët standard që nxirren dhe shpallen nga KRPP sipas këtij ligji
“Aktivitet i shërbimeve publike” do të thotë një aktivitet që përfshin (i) ofrimin ose
mbajtjen e rrjetit fiks fizik me qëllim të ofrimit të shërbimeve për publikun në lidhje me,
mes tjerash., prodhimin, transportin, ose përpunimin ose shpërndarjen e ujit, rrymës, gazit
ose ngrohjes, (ii) furnizimin me ujë, rrymë, gaz ose ngrohje për rrjetin e tillë, (iii)
shfrytëzimin e zonave gjeografike me qëllim të hulumtimit ose nxjerrjes së naftës, gazit,
thëngjillit ose karburanteve tjera të ngurta (v) ofrimin e aeroportit ose pajisjeve të tjera
terminale (iv) ofrimin ose mbajtjen e një rrjete publike të telekomunikacionit ose ofrmin e një ose më shumë shërbimeve të telekomunikacionit ose postare, (vi) mbledhjen dhe
menaxhimin e mbeturinave, ose (vii) mbajtjen e një rrjete që i ofron publikut shërbime të
transportimit duke përfshirë përdorimin e hekurudhës, autobusëve, tramvajëve,
trolejbusëve, sistemeve kabllovike ose automatike; një rrjetë e tillë ekziston kur
shërbimet e tilla transportuese ofrohen në përputhje me kushtet operative të përcaktuara
nga një autoritet kompetent publik, siç janë kushtet mbi territorin i cili do mbulohet nga
shërbimi, kapaciteti i cili do të vihet në dispozicon ose frekuentimi i shërbimit.
“Operator i shërbimeve publike” nënkupton: (i) autoritetin publik ose ndërmarrjen
publike të angazhuar në një aktivitet të shërbimeve publike, dhe (ii) një person,
ndërmarrje, organ ose organizatë që nuk është as autoritet publik e as ndërmarrje publike
dhe që është e angazhuar, në bazë të të drejtave të veçanta ose ekskluzive që i janë dhënë
nga një autoritet kompetent publik, në një aktivitet të shërbimeve publike.
“Ndërmarrje publike” do të thotë çdo ndërmarrje mbi të cilën një ose më shumë
autoritete publike mund të ekzekutojnë drejtëpërdrejtë ose tërthorazi, ndikim mbizotërues
në bazë të pronësisë në ndërmarrjen e tillë, pjesmarrjes financiare në ndërmarrjen e tillë
dhe/ose dispozitave që rregullojnë ndërmarrjen e tillë.
“Ndërmarrje e ndërlidhur” nënkupton çdo ndërmarrje (i) mbi të cilën koncesioneri i
punëve mund të ushtrojë, drejtpërdrejtë ose tërthorazi, ndikim mbizotërues,
(ii) që mund të ekzekutoj ndikim mbizotërues mbi koncesionerin përkatës të punës, ose
(iii) që, bashkë me koncesionerët përkatës të punës, i nënshtrohet ndikimit mbizotërues të
ndërmarrjes tjetër në bazë të pronësisë, pjesëmarrjes financiare, ose dispozitave që e
rregullojnë atë.
“Procedurat e kufizuara” janë procedurat e prokurimit të përcaktuara në Nenin 31 të këtij ligji.
“Paneli shqyrtues” do të thotë panelin e shqyrtimit që themelohet nga Kryetari i OSHP
në pajtim me Pjesën VIII të këtij ligji.
“Kontratë për koncesion shërbimi” nënkupton kontratën e llojit të njëjtë sikur që është
kontrata e shërbimit përveç se kompenzimi për shërbimet e ofruara realizohet nga e drejta
për të shfrytëzuar shërbimet, ose në këtë të drejtë bashkë me pagesën.
“Kontratë shërbimi”nënkupton kontratën me shpërblim me para, të lidhur ndërmjet
autoritetit kontraktues dhe një ose më shumë ofruesve të shërbimeve që ka të bëj vetëm
ose kryesisht me ofrimin e shërbimeve.
“Ofrues i shërbimeve” nënkupton çdo person, ndërmarrje ose organ publik, ose grup i
personave, ndërmarrjeve dhe/ose organeve të tilla që kryejnë dhe/ose ofrojnë të kryejnë
shërbime.
“Të drejta të veçanta ose ekskluzive” nënkupton të drejtat që dalin prej lejes ose
autorizimit të dhënë nga organi kompetent publik sipas dispozitave ligjore, rregullative
ose administrative që (i) ka efekt kufizues ndaj një ose më shumë entiteteve në të drejtën
ose aftsinë për t’u angazhuar në aktivitete të caktuara, dhe (ii) qenësisht ndikon në të
drejtën ose aftësinë e personave të tjerë, ndërmarrjeve, organeve ose organizatave për të
kryer një aktivitet të tillë në të njejtin territor dhe nën kushte esencialisht të njejta.
“Furnizues” do të thotë çdo person, ndërmarrje ose organ publik, ose grup i personave të
tillë, ndërmarrjeve, dhe/ose organeve që furnizojnë ose ofrojnë të furnizojnë produkte.
“Kontratë furnizmi” nënkupton kontratën me shpërblim në para të lidhur ndërmjet
autoritetit kontraktues dhe një ose më shumë furnizuesve që ka të bëj vetëm ose kryesisht
me blerjen, qiradhënien, qiradhënien ose blerjen me këste, me ose pa mundësi blerje, të
një ose më shumë produkteve; “produktet” interpretohen gjerësisht si një ose më shumë
sende të prekshme të lëvizshme, duke përfshirë , por pa u kufizuar në, mallrat, artikujt,
prodhimet e përpunuara, lëndët e para, dhe pajisjet.
Lart
“Standard” do të thotë spacifikacion teknik i miratuar nga një organ i pranuar i
standardizimit, për përdorim të përsëritur ose të vazhdueshëm, përputhja me të cilin
përgjithësisht nuk është detyrimore.
“Specifikim teknik” do të thotë kushtet teknike që përcaktojnë karakteristikat e grupit të
punëve, materialit, produktit, furnizimit ose shërbimit, dhe që i mundëson llojit të punës,
materialit, produktit, furnizimit ose shërbimit që të përshkruhet objektivisht në mënyrë që
të plotësoj nevojat e paracaktuara nga autoriteti kontraktues. Specifikim teknik mund të
përfshijë kualitetin, treguesin e zbatueshmërisë, aspektin e sigurisë, si dhe kërkesat e
zbatueshme të materialit, produktit, furnizimit ose shërbimit sa i përket sigurisë së
kualitetit, terminologjisë, simboleve, metodave të testit dhe testimit, ambalazhimit,
shënimit dhe etiketimit. Në rastin e kontratave të punës, ato poashtu mund të përfshijnë
rregullat për dizajnim dhe shpenzime, testin, inspektimin dhe kushtet e pranimit për punët
ose teknikat ose metodat e ndërtimit dhe të gjitha kushtet tjera teknike të cilat autoriteti
kontraktues është në gjendje t’i përshkruaj sipas rregulloreve të veçanta ose të
përgjithëshme, lidhur me punët e kryera dhe materialet ose pjesët që ato i përfshiejnë.
“Tender” do të thotë një dokument që i dorëzohet autoritetit kontraktues nga një operator
ekonomik, duke parashtruar kushtet e ofertës së operatorit ekonomik si përgjegje ndaj një
njoftimi specifik të kontratës, njoftimit për tenderim ose ndonjë kërkesë tjetër që është
nxjerrë ose përgatitur nga autoriteti kontraktues në fjalë. Termi “tender” përfshin, por nuk
kufizohet vetëm në një propozim ose kuotim të çmimeve.
“Tenderues” nënkupton operatorin ekonomik që ka dorëzuar tenderin.
“Dosje tenderi” ka kuptimin e përcaktuar në nenin 27.
“Ndërmarrje” nënkupton secilin subjekt afarist (duke përfshirë edhe subjektet personale
afariste), ortakëri, ndërmarrje të përbashkët, person juridik, shoqatë, projekt, filialë, zyrë,
ose organizatë ose themelatë tjetër.
“Shkelje” do të thotë dështimin për tu pajtuar me një ose më shumë dispozita të këtij ligji.
“Punë” nënkupton rezultatin e ndërtimit ose punët ndërtimore ose aktivitetet që, marrë në tërësi, janë të mjaftueshme të plotësojnë një funksion ekonomik ose teknik.
“Koncesioner i punëve” nënkupton (i) personin, ndërmarrjen ose autoritetin kontraktues
që ka marrë kontratë pune koncesioni nga autoriteti kontraktues, dhe/ose (ii) secili person, ndërmarrje ose autoritet kontraktues që kryen aktivitete prokurimi në emër të ose për llogari të personit të tillë,- ndërmarrjes ose autoritetit kontraktues.
“Kontratë pune me koncesion” nënkupton kontratën e punës, përmbushja e së cilës
kompensohet tërësisht ose pjesërisht, me dhënien e së drejtës së shfrytëzimit të objektit të
kësaj kontrate
“Kontratë pune” nënkupton kontratën me shpërblim në para, të lidhur ndërmjet autoritetit kontraktues dhe një ose më shumë kontraktuesve të punëve i cili ka detyrë kryesore zbatimin, projektimin dhe përmbushjen, ose realizimin, me çfarëdo mënyre, të punës ose ndërtimit ose aktiviteteve ndërtimore komunale, që do të thotë aktiviteteve që janë drejpërdrejt të përfshira në ndërtimin, restaurimin, riparimin ose shkatërrimin e godinave, pajisjeve, strukturave ndërtimore, strukturave tjera, ose të një pjesë të tyre.
“Kontraktues pune” nënkupton secilin person, ndërmarrje ose autoritet kontraktues, ose
grup të personave të këtillë, ndërmarrjeve, që ofrojnë të ekzekutojnë, projektojnë ose
përmbarojnë, ose realizojnë, me çfarëdo mjeti, punën ose ndërtimin ose aktivitetet
ndërtimore, do të thotë aktivitetet që janë drejtpërdrejt të përfshira në ndërtimin,
restaurimin, riparimin ose shkatërrimin e godinave, pajisjeve, strukturave ndërtimore,
strukturave tjera, ose secilës pjesë të tyre.
“Me shkrim” do të thotë çdo shprehje që përbëhët nga fjalët dhe/ose shifrat që mund të
lexohen, riprodhohen dhe më pastaj të komunikohen. Kjo mund të përfshijë
informacionin e transmetuar dhe të ruajtur me mjete elekronike.
Personi ose ndërmarrja që ka për qëllim t’i caktoj/jap kontratë personit tjetër ose
ndërmarrjes, nëse 50% ose më shumë e vlerës së çmuar të kontratës së tillë është qoftë
drejtëpërdrejt e subvencionuar nga autoriteti kontraktues ose përndryshe e financuar me
fonde publike, do të konsiderohet se është “autoritet kontraktues” në kuptim të këtij ligji
lidhur me çdo aktivitet prokurimi me lejimin/dhënien e kontratës së tillë. Personi ose
ndërmarrja e tillë me këtë rast, do të zhvilloj aktivitetet e prokurimit rreptësisht në
përputhje me kërkesat a zbatueshme procedurale dhe thelbësore të këtij ligji.
Më shumë përkufizime të termave të përdorura në këtë ligj, si dhe definimet e
termave të tjerë, mund të përcaktohen ose të rregullohen me rregullat e prokurimit publik;
me kusht që, sidoqoftë, këto definime më të detajuara dhe definimet e termave tjerë nuk
do të pengojnë zbatimin e asnjë dispozite të këtij ligji.
Lart